Prezantohen prioritet e këshillave lokale para zyrtarëve të Komunës së Pejës

Pejë, 22 gusht – U mbajt takimi “Prezantimi i prioriteteve të këshillave lokalë”, që u organizua në kuadër të projektit për fuqizimin e qytetarisë aktive në Kosovë.
Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i prioriteteve të këshillave lokalë dhe përfshirja e këtyre prioriteteve në planet e punës apo në prioritet e komunës për vitin 2016 dhe 2017.
Në këtë takim përveç prezantimit dhe diskutimit mbi prioritetet e këshillave lokale është diskutuar edhe për mënyrën e përzgjedhjes së prioriteteve nga ana e komunës, për mundësinë e pagesës së kryetarëve të këshillave lokale, që është një shqetësim për përfaqësuesit e komunitetit dhe vet komunën, pasi Ministria e Financave nuk ka hapësirë ligjore për pagesa të komisioneve, grupeve punuese apo të kryetarëve të këshillave lokalë si përfaqësues të zgjedhur nga vet komuna.
Gjatë takimit është vlerësuar nga të gjithë pjesëmarrësit puna e organizatës Syri i Vizionit në fuqizimin dhe mbështetjen e  kryetarëve të këshillave lokal dhe aktivizimin e qytetarëve që të jenë më pranë institucioneve me kërkesat dhe ankesat e tyre.
Pjesëmarrës në takim ishin kryetarët e këshillave lokale, nënkryetari i Komunës së Pejës dhe disa nga drejtoiritë të cilat ishin më direkte përgjegjëse në prioritet e komunitetit.
Takimi është organizuar në kuadër të projektit “Qytetaria Aktive”, që ka për qëllim zhvillimin e qytetarisë aktive në Kosovë, i cili është duke u realizuar tash e sa vite në rajonin e Pejës dhe Prizrenit nga OJQ “Syri i Vizionit” mbështetur nga organizata  Olof Palme International Center.