Angazhimi i përbashkët për bashkëpunim mes komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane

Deçan, 17 tetor - Është mbajtur takim me përfaqësuesit e këshillave lokale të Komunës së Deçanit dhe shoqërisë civile ku është diskutuar mbi hartimin dhe zbatimin e Rregullores komunale për bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane. Në këtë takim të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Deçanit Rasim Selmanaj, kryesuesi i kuvendit komunal Jashar Dobraj, drejtori i Administratës  Bashkim Ramosaj, dhe zyrtarë të tjerë të komunës së Deçanit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues të bashkësive lokale.


Përfaqësuesit e lagjeve dhe fshatrave të pranishëm në këtë takim kanë kërkuar nga zyrtarët komunalë që të fillohet shumë shpejtë të bëhet hartimi dhe miratimi i rregullores si dhe të fillohet me përzgjedhjen e këshillave të rinj, ashtu siç e parasheh rregullorja. Këtë ata e shohin si një mudnësi për të ushtruar ndikim më të madh mbi institucionet dhe si një fuqizim të rolit të tyre, pasi deri më tani zëri i tyre është dëgjuar shumë pak.


Po ashtu është kërkuar që ky proces të ndihmohet nga vetë qytetarët për të pasur zgjedhje të pranueshme dhe të rregullta, duke mos i dhënë karakter politik por të jetë proces,  ashtu siç garanton edhe rregullorja.
Ky takim është organizuar nga OJQ Syri i Vizionit në kuadër të programit “Qytetaria Aktive” që mbështetet nga organizate Olof Palme International Center/ SIDA.