Komuna e Istogut në mungesë të mjeteve financiare nuk arrin të organizojë këshillat lokale

Istog, 09 Korrik- Organizata Syri i  Vizionit ka mbajtur një punëtori me përfaqësuesit e disa fshatrave dhe lagjeve të komunës së Istogut, në të cilën është diskutuar mos zbatimi i rregullores komunale “Organizimi dhe bashkëpunimi i Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane” që është miratuar në fillim të vitit 2013.
Përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve të pranishëm në këtë takim, kanë kërkuar nga Komuna që të zbatohet rregullorja, të bëhet strukturimi i këshillave lokale dhe legalizimi i kryetarëve të fshatrave dhe lagjeve. Po ashtu janë shprehur se Komuna ka mundësi të krijojë stimulim apo një pagesë për ta, mirëpo nuk ka shumë vullnet prej anës së komunës.
Ndërsa përfaqësuesit e komunës së Istogut, saktësisht nga Zyra ligjore, znj. Zekije Sutaj, është pajtuar me përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve se duhet krijohet stimulim për ta, por sipas saj, buxheti që ka komuna e Istogut i pamundëson që të bëjë çfarëdo pagese apo stimulimi, madje as edhe për të organizuar zgjedhjet për strukturim të këshillave lokale, siç parasheh rregullorja komunale.
Sipas zyrtarëve komunalë mbetet që Ministria e Financave të mbështesë komunat përmes një linje buxhetore që do të jetë vetëm për punën e këshillave lokale dhe stimulimin e kryetarëve të fshatrave dhe lagjeve. Pavarësisht kësaj, Komuna është zotuar se vitin e ardhshëm komuna do të bëjë të pamundurën për të krijuar buxhet dhe për të zbatuar rregulloren në fjalë.
Komuna e Istogut është ndër komunat e para në Kosovë që ka miratuar Rregulloren komunale për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane.
Kjo punëtori është organizuar në kuadër të programit “Qytetaria Aktive” që implementohet nga Syri i Vizionit në disa komuna të Kosovës, mbështetur financiarisht nga Olof Palme International/SIDA dhe Qeveria Suedeze.