Qytetarët protestojnë kundër krimit

28 mars 2014 -Mijëra qytetarë të Pejës kanë protestuar me moton “Nesër mund të jesh edhe ti”, kundër rasteve të krimit dhe paaftësisë së organeve të drejtësisë për të kapur autorët e vrasjeve në Pejë. Qytetarët kanë protestuar nga qendra e Pejës para ndërtesës së Komunës, përgjatë rrugëve në një marshim gjatë të cilit janë ndaluar para Prokurorisë themelore të Pejës dhe para policisë s Pejës. Te këto dy institucione ata kanë vënë kurora lulesh duke shprehur simbolikisht vdekjen e organeve të drejtësisë në Pejë. Veton Mujaj nga shoqëria civile, ka thënë se se policisë dhe gjyqësorit  u kemi vënë kurorë, sepse nuk po bëjnë asgjë për sigurinë tonë, kurse Adnan Hyseni, një nga anëtarët e Këshillit organizativ të protestës, ka deklaruar se institucionet e Kosovës e kanë harruar qytetin e Pejës, që nuk meriton që të trajtohet në këtë mënyrë.
Protestën e tyre për mozbardhjen e krimeve në Pejë, qytetarët e kanë shprehur një javë pas rastit në qendër të Pejës në të cilin kanë mbetur të vrarë dy dhe të plagosur gjashtë persona, në një seri vrasjesh që zgjasin prej 15 vjet në Pejë.