Syri i Vizionit ndihmon të rinjtë e fshatit Novosellë të Pejës të krijojnë OJQ-në e tyre


Më punën e vazhdueshme që është duke bërë organizata joqeveritare “Syri i Vizionit”  në fuqizimin dhe zhvillimin e qytetarisë aktive, grupe të ndryshme të komunitetit janë mobilizuar për t’i zgjidhur dhe adresuar problematikat që ata kanë, duke u aktivizuar për të luajtur një rol aktiv dhe të fuqishëm në komunitetin e tyre.
Një shembull i mirë i fuqizimit dhe aktivizimit është grupi joformal i të rinjve në fshatin Novosellë, ku në këtë fshat ekziston një numër shumë i madh i të rinjve të cilët kanë talent dhe dëshirë për t’u marrë me aktivitete të ndryshme kulturore, edukative, sportive dhe rekreative.
Pas takimeve të vazhdueshme me këtë grup joformal të rinjsh, është shfaqur dëshira dhe interesimi i tyre që të shndërrohen në një OJQ, me qëllim që të bëjnë  avancimin e vlerave qytetare me interes për komunitetin në aspekt të zhvillimit shoqëror.
Fjolla Pelaj, koordinatore e këtij grupi joformal rinor dhe themeluese e OJQ-së “Valët e Reja” (VeR) thotë:
“Falë ndihmës dhe përkrahjes së vazhdueshme të organizatës joqeveritare ’Syri i Vizionit’ që nga ardhja e idesë dhe formimi i grupin tonë joformal, bashkë kemi arritur që idenë tonë ta konkretizojmë. Falë ndihmës së kësaj organizate ne kemi marrë guximin që të krijojmë diçka më të madhe që, edhe pse në një zonë rurale, të mund t’i realizojmë qëllimet tona drejt aktivizimit të të rinjve tanë, punë kjo që rezultoi me formimin e organizatës sonë joqeveritare “Valët e Reja”, e cila ndonëse në hapat e parë të zhvillimit është duke arritur të organizojë aktivitete të ndryshme në interes për komunitetin në aspekt të zhvillimit shoqëror. Ajo që na bën të lumtur dhe e ndihmon shumë zhvillimin tonë, është interesimi i madh i të rinjve për pjesëmarrje. Ata me të vërtetë janë shumë mirënjohës që iu kemi hapur dyert e mundësive të tilla të aktivizimit”.
Tashmë kur grup joformal është regjistruar si OJQ “Valët e reja” një organizatë e re në zonat rurale e pavarur, jo profitabile, udhëhequr nga vlerat thelbësore në saje të vullnetarizmit dhe qytetarisë aktive, gjithpërfshirjes dhe vlerësimit të diversitetit njerëzor. Organizata ka selinë në Novosellë, Pejë/Kosovë dhe fushëveprimi mund të jetë në territorin e Kosovës.
Objektivat strategjike të kësaj organizate janë rritja e vetëdijes tek të rinjtë për rëndësinë e qytetarisë aktive, integrimi i femrës në shoqëri për të gjitha grupmoshat, organizimi i kurseve të ndryshme për të rinjtë, organizimi i aktiviteteve të ndryshme kulturore e sportive për të rinjtë, promovimi i vullnetarizmit dhe punës vullnetare në të mirë të komunitetit.