Rreth 400 familje nga komunitetet rom, egjiptian dhe ashkali ndihmohen me pako emergjente për familje dhe fëmijë

Pejë, 28 prill: Sot, Organizata Syri i Vizionit në bashkëpunim me Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS),  kanë ndihmuar rreth 400 familje me 1.100 pako emergjente për fëmijë nga mosha 0-3 vjeç dhe familjet në nevojë të komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali në lagjen “7 Shtatori” dhe fshatin Vitomiricë të komunës së Pejës, duke lehtësuar kështu sadopak gjendjen e tyre ekonomike e sociale në tejkalimin e situatës me pandeminë dhe ruajtjen e shëndetit. Syri i Vizionit po ashtu ka shpërndarë 90 pako emergjente për familjet e izoluara dhe të cilat janë prekur me virusin COVID-19.

Shpërndarja e pakove emergjente është bërë derë me derë nga personeli i organizatës sonë. Kjo është  bërë në bashkërendim të vazhdueshëm me Ekipin Emergjent Komunal dhe Policinë e Kosovës, të cilët kanë qenë të pranishëm edhe në terren. Rëndësi shumë e veçantë gjatë gjithë kohës i është kushtuar zbatimit në përpikëri të të gjitha rregullave, si mos-grumbullimi i personave, mbajtja e distancës sociale dhe përdorimit të pajisjeve të duhura - dorëza, maska e dezinfektues, duke ruajtur kështu si personelin tonë ashtu edhe përfituesit e këtyre pakove.


Syri i Vizionit është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe grupet e interesit, jo vetëm në komunën e Pejës por në të gjitha komunat e Kosovës, për t’u dalë në ndihmë gjatë kësaj faze të vështirë për vendin. Organizata po ashtu është duke bërë shpërndarjen e informatave të besueshme dhe vetëdijësuese për fëmijët dhe për prindërit për përballimin sa më të lehtë të kohës së qëndrimit në shtëpi me anë të fushatave vetëdijësuese në programe të ndryshme online në mënyrë që kjo gjendje të jetë sa më lehtë për të gjithë.




Kjo nismë është realizuar në mbështetje të programit PROSPECT 3, në partneritet me Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe mbështetje të çmuar nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe Karl Kübel Stiftung für Kind und Familje (KKS).


Organizata jonë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i respektojnë në përpikëri rregullat dhe sugjerimet e përcaktuara nga institucionet përgjegjëse. Duke respektuar këto rregulla ne mbrojmë veten, fëmijët, familjet dhe gjithë shoqërinë dhe tejkalojmë këtë pandemi më shpejtë. Lidhur me këtë, ne vazhdimisht po ofrojmë edhe fushata online përmes rrjeteve sociale për grupet të ndryshme në shënjestër.


#rriNshpi

#punongashtepia

#kujdesPo

#panikJo

#sebashkujadalim