Aleanca për Qytetari Aktive takohet për organizimin dhe funksionimin e këshillave lokal

Prishtinë - 13 maj - Aleanca për Qytetari Aktive ka mbajtur takim lidhur me organizimin dhe funksionimin e këshillave lokal në nivel komune sipas Udhëzimit Administrativ Nr.02/2019 për organizimin, funksionalizimin dhe bashkëpunimin e komunave me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane.

Qëllimi i këtij takimi ishte bashkërendimi i veprimeve të përbashkëta me 19 drejtoritë komunale të administratës ku shtrihet projekti dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për plotësim-ndryshimin e rregulloreve komunale, zgjedhjen dhe funksionalizimin e këshillave lokal dhe planifikimin e mjeteve buxhetore për kompensimin e kryetarëve të këshillave.


Nga takimi doli që komunat janë në proces të plotësim-ndryshimit dhe miratimit të rregulloreve komunale në pajtim me Udhëzimin Administrativ si dhe organizimit të proceseve zgjedhore për zgjedhjen e këshillave lokal. Po ashtu, u tha se ky është një mekanizëm shumë i rëndësishëm për komunat i cili ndikon dhe ndihmon në komunikimin më të mirë, transparent dhe më të afërt me qytetarë.

Ky takim pune është organizuar nga organizata joqeveritare Syri i Vizionit në kuadër të Aleancës për Qytetari Aktive dhe në bashkërendim me Ministrinë e Administrimit te Pushtetit Lokal. Ai është pjesë e programit “Qytetari aktive dhe komuna përgjegjëse në Kosovë” i cili zbatohet nga Syri i Vizionit, Communication For Social Development, EC Ma Ndryshe dhe Democracy Plus që kanë lidhur aleancë për zbatim të këtij programi i cili mbështetet financiarisht nga Olof Palme International Center.