Angazhimi i përbashkët arrin suksesin në rregullimin e rrjetit të rrymës së fshatit

Banorët e fshatit  Zllopek detyrojnë KEK-un të bëjë vendosjen e shtyllave të reja të rrymës që rrezikonin jetën e tyre


20 Qershor- Fshati Zllopek është një ndër fshatrat e komunës së Pejës që ka një shtrirje specifike në krahasim më fshatrat tjera, pasi ka një pozitë kodrinore- malore dhe ka një përbërje multietnike sa i përket popullatës së këtij fshati.
Që nga muaji tetor i vitit të kaluar nga kushtet atmosferike shtyllat e rrymës së këtij fshati ishin dëmtuar dhe rrezikonin çdo ditë jetën e banorëve të këtij fshati, sidomos të fëmijëve që vijojnë mësimin në shkollën që ndodhet aty afër në dalje të fshatit.
Edhe përkundër ankesave dhe kërkesave që kishin bërë në drejtorin regjionale të KEK-ut në Pejë, dhe të Kryetari i komunës së Pejës, atyre askush nuk ju kishte dalë në ndihmë për të sanuar problemin dhe për të eliminuar rrezikun që u kanosej banorëve të fshatit nga shtyllat e rrezuara dhe telat e rrymës që ishin të shtrirë në tokë.
Duke parë mos intervenimin e institucioneve gjegjëse banorët mobilizohen dhe bëjnë largimin e telave të rrymës nga toka duke i ngritur në një lartësi prej 1.50 apo 1.80 metra mbi tokë duke krijuar një siguri të paktën për fëmijët e fshatit të cilët duhet kalonin çdo ditë nga kjo pjesë e fshatit për të vijuar mësimin në shkollë.
Kishte diku gjashtë muaj ku banorët e fshatit jetonin më ankth dhe frikë se një ditë dikush nga banorët e fshatit apo bagëtinë e tyre do të pësojnë nga telat e rrymës sepse një pakujdesi e tyre mund të ju kushtojë më jetë e sidomos fëmijëve të cilët mund të jenë të pakujdesshëm.
Skender Kelmendi përfaqësues i fshatit njëherë koordinator i shkollës së fshatit është shprehur se “Ne, gjatë këtyre gjashtë muajve kemi jetuar me frikë se dikush do pësojë nga tensioni i rrymës, dhe se na u shuan shpresat se do të mund të bëjmë diçka pasi që askush nuk ndërmori masa edhe pse çdo muaj kemi njoftuar për këtë problem”
Intervenimi i vet komunitetit nga fshati Zllopek që mobilizioi edhe mediat ka bërë që të mobilizohen edhe autoritetet që këtë çështje po e neglizhonin për muaj të tërë dhe të dëgjojnë zërin dhe shqetësimin e banorëve për rrezikun që po u kanoset çdo ditë tek institucionet përgjegjëse.
 “Organizata Syri i Vizionit ka qenë e vetmja shpresë për ne, që do na ndihmojë të zgjidhim këtë problem, edhe pse ishim skeptikë, falë angazhimit dhe ndihmës së tyre, përmes takimeve, kërkesave duke i përdorur mediat, ne sot kemi arritur ta zgjidhim problemin, duke detyruar  KEK-un që të vendos shtyllat e reja të rrymës”  është shprehur Kelmendi.
KEK-u tashmë ka bërë vendosjen e shtyllave dhe telit të ri të rrymës  ashtu siç është kërkuar nga banorët e fshatit Zllopek, duke rikthyer siguri në fshat për banorët dhe vetë fëmijët e këtij fshati për të vijuar mësimin pa ndonjë shqetësim që mund të pësojnë gjatë udhëtimit për në shkollë nga rryma.
Ndërkohë që Skënderi dhe banorët e këtij fshati kanë thënë se “Vetë qytetarët duhet të mobilizohen dhe të përdorin mekanizma për të ushtruar të drejtat që iu takojnë, sepse vetëm si qytetarë aktivë mund të zgjidhim problemet më të cilat ballafaqohemi çdo ditë”.