Banorët e Zahaqit me peticion kundërshtojnë gurthyesin në fshatin e tyre

Banorët e Zahaqit me peticion kundërshtojnë gurthyesin në fshatin e tyre

22 mars – Banorët e fshatit Zahaq nuk janë duke u pajtuar assesi që në fshatin e tyre të hapet një gurthyes. Përveç peticionit të drejtuar në institucionet komunale që të ndalojë kompaninë që ka në plan të ndërtojë gurthyesin ata i janë drejtuar me një peticion edhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si përgjegjëse për dhënien e lejeve për gurthyes. Nga takimet që kanë pasur me zyrtarët e Ministrisë ju është thënë se kompania në fjalë ka kërkuar leje të veprimit në këtë fshat,  mirëpo ende nuk u është dhënë një leje e tillë për të vepruar.
Banorët e këtij fshati disa herë kenë bërë përpjekje për të ndaluar këtë kompani dhe  veprimtarinë  e saj në fshatin tyre, pasi që vendosja e tij është ndotëse për një ambient të banuar dhe bujqësor, lëvizja e vazhdueshme e kamionëve me zhavorr nëpër qendër të fshatit rrezikon jetën e fëmijëve, ka dëmtuar rrugën e fshatit si dhe prishin qetësinë e banorëve.
Por, sipas banorëve, kjo kompani ka bërë që qindra hektarë të tokës së tyre bujqësore të mbesin djerrina pasi që kompania ka dëmtuar shtratin e lumit dhe tashmë shtrati i lumit ka një rënie prej gati 2 metra nën nivelin e më hershëm. Banorët e Zahaqit kanë denoncuar  vazhdimisht  kompani Vëllezërit Kastrati në Polici, Komunë,  madje edhe  janë  konfrontuar drejtpërdrejtë me pronarin kompanisë, për çka është dashur edhe intervenimi i Policisë dhe inspektoratit të komunës.
“Ne jemi duke pritur reagimin e Ministrisë së MPH-së  dhe Kuvendit komunal, që të ndërmarrin masa, në rast se nuk ndërmarrin  masa, atëherë s’na mbetet ndonjë alternativë tjetër pos të organizohemi ne, si banorë dhe të ndërmarrim masa radikale, ku përgjegjësia do të bjerë mbi këto institucione, qoftë në nivel komunal apo qendror”  ka thënë Imer Lajqi nënkryetar i fshatit Zahaq.