Banorët e Zllopekut të rrezikuar nga telat e rrymës

Banorëve të Zllopekut ju rrezikohet jeta nga telat e rrymës


Në fshatin Zllopek ka disa muaj që shtyllat e rrymës janë rrëzuar dhe thyer nga presioni i kushteve atmosferike, ndërsa banorët vetë janë mobilizuar që të evitojnë rrezikun duke u përpjekur t’i kthejnë shtyllat e rrymës në gjendjen e mëparshme. 
Ata disa herë iu janë drejtuar institucioneve komunale dhe distribucionit të KEK-ut në Pejë, që të dalë në terren për të riparuar prishjet dhe për të evituar rrezikun, mirëpo deri më tani nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Telat e rrymës vazhdojnë të qëndrojnë diku 1.5 apo 2 metra mbi tokë të varur ashtu në shtylla të thyera, gjë që po rrezikonë jetën e banorëve të këtij fshati e sidomos të fëmijëve të cilët vijojnë mësimin në shkollën e fshatit.  Fëmijët duhet të kalojnë nëpër atë zonë ku telat e rrymës vazhdojnë të jenë në atë situatë duke rrezikuar që nga një pakujdesi e vogël mund të rrezikojnë jetën.
Koordinatori i shkollës së fshatit njëherësh kryetar i fshatit, Skënder Kelmendi ka thënë se “ Nuk dimë se çfarë të bëjmë, ne kemi bërë disa kërkesa në KEK-e dhe s’kanë ndërmarrë asnjë veprim, jeta jonë si banorë, e sidomos e fëmijëve rrezikohet nga telat e rrymës që qëndrojnë në këtë mënyrë. Si staf i shkollës ne çdo ditë duhet t’ua tërheqim vërejtjen fëmijëve që të kenë kujdes kur kalojnë buzë këtyre telave, sepse mund të pësojnë nga një pakujdesi e vogël”
Ai dhe banorët e tjerë të këtij fshati kanë paralajmëruar institucionet se në rast të humbjes së jetës së ndonjë banori të këtij fshati nga kjo problematike dikush do të japë llogari, gjithashtu ata janë shprehur jashtëzakonisht të zhgënjyer në mos veprimin e KEK-ut si dhe të vetë institucioneve komunale.
Fshati Zllopek është fshat  që ka mbi 150 shtëpi dhe me një përbërje multietnike, ku përveç shqiptarëve jetojnë edhe komuniteti  boshnjak dhe egjiptian.