Fëmijët të gatshëm për të adresuar dhunën dhe për të qenë pjesë në vendimmarrje

Fëmijët e Kosovës janë zotuar se më nuk do të heshtin për dhunën që ushtrohet ndaj tyre, por do të bëjnë denoncimin e të gjithë atyre që ushtrojnë dhunë ndaj tyre. Po ashtu ata kanë kërkuar që institucionet t’u japin më shumë hapësirë të përfshirjes së tyre në vendimmarrje kur ka të bëjë me interesat e tyre dhe respektimin e të drejtave që garantohen me Konventën Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve.
Të gjitha këto kanë dalë në kuadër të fushatës “Java kundër dhunës ndaj Fëmijëve” që është dukë u mbajtur në disa komuna të Kosovës, ku fëmijët kanë qenë pjesë e konferencave me media, takim më avokatin e popullit, debat publik më kryetaren e komunës së Gjakovës, pjesë e shfaqjes teatrale “Kur kam të drejtë, kam..!”, si dhe në garën për pikturën dhe esenë më të mirë me temën “Mbrojtja e Fëmijëve nga dhuna”. Këto aktivitete kanë për qëllim ndërgjegjësimin e institucioneve, prindërve dhe gjithë shoqërisë që zëri I tyre të dëgjohet dhe të punohet më shumë  në mbrojtjen e tyre dhe respektimit e të drejtave që u takojnë.