Fshati Berkovë më ujësjellës por pa ujë të pijshëm, problem shkyçja e pompës nga KEK-u

Fshati Bërkovë në Komunën e Klinës është një ndër fshatrat më një përbërje multietnike, ku jetojnë së bashku komuniteti shqiptar dhe ai serbë. Banorët e këtij fshati nuk e kanë problem bashkëjetesën si fqinj, por problem dhe shqetësim për të dyja komunitetet si atë shqiptar dhe atë serb mbetet mungesa e ujit të pijes.

Fshati Bërkovë qe nga viti 2007 është bërë më ujësjellës nga një donacion i UNDP-së dhe Komunës së Klinës. Mirëpo, ky fshat ka gati një vit që ka mbetur pa ujë të pijshëm, pasi që KEK-u në ka bërë shkyçjen e pompës së fshatit që bën furnizimin me ujë të pijshëm, pasi që borxhi që i ka shkaktuar KEK-ut kjo pompë nuk është paguar nga askush.

Sipas kryetarit të këtij fshati Lush Tanushi “Ne kemi njoftuar institucionet lokale dhe ato qendrore lidhur më këtë problem, mirëpo na është premtuar se do të gjendet një zgjidhje por deri më tani askush nuk ka ndërmarrë masa”.

Madje, sipas banorëve të këtij fshati ata disa herë kanë bërë edhe kyçje ilegale të pompës vetëm e vetëm për të siguruar ujin e pijes, por KEK-u ka ndërmarr masa duke ndërprerë furnizimin me rrymë nga rrjeti trefazor në njëfazor.
Ky furnizim me i dobët me rrymë pamundëson funksionimin e pompës së fshatit, si dhe u pamundëson banorëve që t’i shfrytëzojnë pajisjet elektronike qe kërkojnë rrymë  trefazore, edhe pse ata thonë se janë pagues të rregullt të KEK-ut.