Gratë asambleiste të Deçanit të gatshme për të ngritur zërin në vendimmarrje

Deçan, 27 nëntor- Në kuadër të iniciative avokuese të grupeve të grave, grupi i grave asambleiste me mbështetje të grupit jo formal të grave nga Deçani, janë duke realizuar disa punëtori me përfaqësueset e fshatrave dhe lagjeve të komunës së Deçanit, me qëllim të ballafaqimit direkt me problemet e grave, të cilat ndihen të papërfaqësuara, dhe zëri i tyre nuk dëgjohet në instanca vendimmarrëse.
Grupi i grave asambleiste ka marrë iniciativën që të takojë të gjitha këto gra në takime dhe punëtori të përbashkëta për të identifikuar problemet që kanë të gjitha gratë, të cilat ndihen të papërfaqësuara dhe të papërkrahura. Gjithsesi gratë asambleiste në bashkëpunim me grupin e grave nga fshatrat, po bëjnë përpjekje që këto kërkesa dhe nevoja të tyre të përcillen edhe tek institucionet, me qëllim që roli dhe zëri i gruas të dëgjohet, dhe po ashtu ato të jenë pjesë e vendimmarrjes në proceset e rëndësishme shoqërore.
Këto takime dhe punëtori kanë dalë si iniciativë e grupit të grave, iniciativa këto të cilat përkrahen nga projekti “Qytetaria Aktive” të implementuar nga OJQ Syri i Vizionit dhe mbështetur financiarisht nga Olof Palme International Center dhe SIDA.