Kërkohet pjesëmarrje më e madhe nga femrat dhe të rinjtë në zgjedhje

Përfaqësues të shoqërisë civile në Komunën e Pejës kanë bërë aktivitete në të cilat kanë bërë sensibilizim për dalje sa më të madhe të femrave dhe të rinjve në zgjedhje. Këto dy kategori paraqesin mosinteresim dhe neglizhim të procesit zgjedhor, porse vota e tyre konsiderohet e rëndësishme për një proces sa më kualitativ dhe përfshirës, që i jep më shumë legjitimitetit të zgjedhurve nga vota qytetare.
Shemsie Seferi, nga shoqata “Alma” në Pejë, thotë se slogani i “Demokracisë në Veprim”, në kuadër të së cilës zhvillohet edhe fushata e saj, se nuk ka demokraci me një gjini është shumë i vërtetë, pasi femra është e anashkaluar në procesin zgjedhor në Kosovë. “Alma” ka zhvilluar këto ditë disa aktivitete me qëllim të vetëdijesimit të rëndësisë së të  votuarit e sidomos te gjinisë femërore, pasi angazhimi i femrës në proces është i rëndësishëm për demokracinë në Kosovë. Aktivitetet janë mbajtur në pesë fshatra, në lagjen “7 shtatori” në Pejë, një debat publik "Gruaja dhe procesi zgjedhor" dhe një performancë vetëdijesimi dhe inkurajimi në qendrën e qytetit të Pejës, të gjitha këto për të sensibilizuar qytetarët për të votuar e sidomos gjininë femërore me moton “Dil dhe voto”.
Kurse grupi i të rinjve “Energjia Pozitive” kanë kërkuar angazhimin e të rinjve, pasi nga monitorimet e tyre gatë fushatës zgjedhore kanë konstatuar së të rinjtë marrin pjesë fare pak në aktivitetet e fushatës zgjedhore. “Të rinj e grupit joformal “Energjia pozitive”, kanë përcjellë me vëmendje tubimet publike të subjekteve politike të mbajtura gjatë ditëve të para të fushatës elektorale për zgjedhjet e nëntorit. Në këto tubime kemi vërejtur pjesëmarrje të pakët të të rinjve të moshës madhore që sivjet gjenden në listat e votuesve. Edhe ata pak të rinj që ishin në ato tubime, shihej se kishin ardhur në formë të organizuar nga subjekti politik”, thotë Ilir Osmanaj, përfaqësues i këtij grupi. “Energjia pozitive” konsideron se mos pjesëmarrja e të rinjve në procesin zgjedhor është pasqyrë e demotivimit të tyre nga mungesa e perspektivës. Të rinjtë nga Forumi për integrim dhe zhvillim mendojnë mosinteresimi dhe pasiviteti i të rinjve është i pajustifikuar dhe se të rinjtë duhet të marrin pjesë aktivisht në këtë proces duke ndikuar drejtpërdrejtë në rezultatet përmes votës së tyre.
Në zgjedhjet e 3 nëntorit në Pejë kanë votuar rreth 40 përqind të votuesve. Sipas rezultateve preliminare për asamblenë komunale të Pejës nga dhjetëra kandidatë të rinj të të gjitha partive politike, ende asnjë nuk ka arritur të fitojë ndonjë ulëse për kuvendin komunal të Pejës.