Këshillat lokal fuqizohen në temën e prokurimit publik

Mes 9 e 11 qershor, organizata Syri i Vizionit ka mbajtur trajnimin treditorë në fushën e prokurimit publik. Trajnimi në fjalë ka trajtuar temat e procesimit të buxhetimit komunal, planifikimit të prokurimit, mbikëqyrjes së procesit të prokurimit, auditimit social si dhe raporteve të auditimit.



Trajnimi kishte për qëllim të ngritë njohuritë e kryetarëve të këshillave lokal në mënyrë që të jenë në gjendje të mbikëqyrin kontratat publike të projekteve të cilat realizohen në lokalitet që ata përfaqësojnë si dhe realizimin e punëve në mënyrë sa më të duhur nga ana e kompanive përfituese të këtyre projekteve.

Nga ky trajnim përfituan 30 kryetarë të këshillave lokal nga komunat e Rahovecit dhe Gjakovës, ku edhe po zbatohet projekti “Qytetaria aktive dhe komunat përgjegjëse në Kosovë” nga organizata Syri i Vizionit në komunat e rajoneve të Pejës dhe Prizrenit.

Organizatat joqeveritare Syri i Vizionit, Communication For Social Development, EC Ma Ndryshe dhe Democracy Plus kanë lidhur aleancë për zbatim të këtij programi i cili mbështetet financiarisht nga Olof Palme International Center. Ai synon përfshirjen dhe pjesëmarrjen sa më të gjerë të qytetarëve në vendimmarrje.