Konferenca me temën “Qytetaria Aktive”


Komunikatë për media
Qytetaria Aktive, Sfidë për Qeverinë dhe Komunat

Prishtinë, 11 Korrik 2013
Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” nga Peja të enjten në Prishtinë ka mbajtur konferencën me temën “Qytetaria Aktive” ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga komunat e rrafshit të Dukagjinit, Asociacioni i Komunave të Kosovës, shoqëria civile dhe përfaqësues të fshatrave dhe lagjeve të komunave të regjionit të Pejës dhe Prizrenit.
Aktivizimi i qytetareve, pjesëmarrja në proceset vendimmarrëse dhe adresimi i problematikave tek institucionet në nivel lokal dhe qendror, mbetet një sfidë për institucionet në nivel lokal dhe atë qendror, është thënë nga pjesëmarrësit në këtë konferencë.

Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të komunave të Kosovës ka thënë se “Ekzistojnë ligje, udhëzime të ndryshme administrative dhe rregullore komunale që fuqizojnë rolin e qytetarëve dhe e bëjnë atë të fuqishëm ndaj institucioneve, mirëpo është përgjegjësi e komunave që këto akte ligjore t’i zbatojnë. Kjo sidomos sa u përket rregulloreve komunale për bashkëpunim të komunave me fshatra, vendbanime dhe lagje urbane, duke përcaktuar formën dhe mënyrën e pagesës për kryetarët e kryetarëve të këshillave lokale, nëse dëshirojnë që të jenë funksionalë”.

Ndërkohë, zyrtarët komunalë të pranishëm në këtë takim janë shprehur të shqetësuar se nuk do të mund të zbatojnë rregulloret për bashkëpunim të komunës me fshatra, vendbanime  dhe lagjeve urbane, pasi që duhet që këtyre personave t’u bëhet një lloj pagese apo stimulimi për angazhimin e tyre që të jenë aktivë, kurse buxheti komunal ua pamundëson këtë gjë.
Ali Lajçi nënkryetar i komunës së Pejës ka thënë se “Komunat nuk kanë buxhet për të paguar angazhimin e kryetarëve të fshatrave apo lagjeve të këshillave lokale, por Ministria e Financave së bashku me Ministrinë e MAPL-së është dashur që para se me nxjerr një udhëzim të tillë dhe para se të obligojnë komunat për hartimin e rregulloreve, të mendojnë mënyrën e pagesës, sepse pa paguar apo pa i stimuluar, ata nuk do të jenë funksionalë".
Në anën tjetër, Zekije Sutaj, nga Zyra ligjore e Komunës së Istogut ka thënë: “Ne kemi miratuar rregulloren, por nuk kemi ndonjë linjë buxhetori që të mund t’i paguajmë përfaqësuesit që përzgjidhen në fshatra dhe lagje urbane. Duhet që Ministria e Financave dhe ajo e Pushtetit lokal të hartojnë një linjë buxhetore që komunave t’ua mundësojë një stimulim për përfaqësuesit apo të përzgjedhurit e këshillave lokalë”.
Kryetarët e disa fshatrave të komunave të rrafshit të Dukagjinit kanë thënë se kërkojnë kompensim për punën që bëjnë. “Jemi lodhur që sa vjet bëjmë punë vullnetare dhe shpenzojmë nga xhepat tonë vetëm për të përmirësuar jetën në ato vendbanime ku jetojmë, por tani e tutje pa ndonjë pagesë nuk do të mund japim kontribut. Edhe pse kemi dëshirë dhe vullnet, gjendja e vështirë ekonomike na pamundëson këtë gjë”, është shprehur Sejdi Baleci, kryetar i këshillit lokal në fshatin Grabanicë, komuna e Klinës.
Në anën tjetër, pjesëmarrësit tjerë në debat nga shoqëria civile dhe fshatrat dhe lagjet urbane kanë thënë se duhet gjetur mënyrë financimi për të paguar këta liderë apo përfaqësues lokalë, në mënyrë që të kemi liderë aktivë që më kohë adresojnë problematikat e tyre drejt institucioneve.
Në këtë konferencë është publikuar edhe puna një vjeçare e organizatës “Syri i Vizionit” që është duke bërë në fuqizimin e qytetarisë aktive, projekt ky i mbështetur nga Olof Palme International Center dhe SIDA.

Me respekt,
OJQ “Syri i Vizionit”
Tel.+377(0)44 695 650
Email: [email protected]
www.syriivizioint.org