Krijohet komisioni për strukturimin e këshillave lokale

Krijohet komisioni për strukturimin e këshillave lokale

Pejë 12 Gusht- Në mbledhjen e rregullt të Kuvendit Komunal të Pejës, është formuar Komisioni për udhëheqjen dhe koordinimin e punës në teren për zgjedhjen e Këshillave Lokale në Komunën e Pejës. Në këtë takim Kuvendi ka përcaktuar anëtarët e komisionit për strukturimin e këshillave lokale ashtu siç është e përcaktuar edhe me Rregulloren komunalë për bashkëpunimin e Komunës me këshillat në zonat rurale dhe urbane.


Komisioni do t’i ketë shtatë anëtarë të cilët do të fillojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për zgjedhjen e kryetarëve të fshatrave dhe lagjeve apolitikë ashtu siç përcakton edhe vete rregullorja komunale. Nga këta, gjatë seancës janë përzgjedhur katër përfaqësuesit e partive politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal: LDK,AAK,PDK dhe VV, ndërsa ka mbetur që të përcaktohen edhe dy përfaqësues nga ekzekutivi dhe një nga shoqëria civile.

 

Sipas kryesuesit të asamblesë komunale, Islam Husaj, komisioni do të fillojë punën në shtator ku do të bëjë edhe organizimin e zgjedhjeve dhe strukturimin e këshillave lokale sipas legjislacionit. Këshilltarët e asamblesë komunale e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm strukturimin e këshillave lokale, pasi sipas tyre, kjo do të rritë edhe bashkëpunimin e komunës më qytetarët e saj dhe komuna do të jetë më e përgjegjshme në investime dhe më llogaridhënëse ndaj qytetarëve.