Kryetarët e bashkësive lokale pajtohen se duhet të jenë shumë më aktivë për adresim të problematikave të tyre

Pejë, 26 nëntor- Organizata joqeveritare Syri  i Vizionit në kuadër të projektit “Qytetaria Aktive”, vazhdon mbështetjen dhe fuqizimin e kryetarëve të bashkësive lokale Rugovë (Pejë), Isniq (Deçan), Vrellë (Istog),  Grabanicë (Klinë) dhe Xerxë (Rahovec).

Në takimin e radhës të mbajtur më këta liderë u diskutua për problematikat me të cilat ballafaqohen komuniteti i tyre, si dhe angazhimin e tyre si kryetarë të atyre fshatrave apo lagjeve në adresim me kohë të kërkesave, projekteve apo ankesave të ndryshme drejt  institucioneve komunale.  Sipas tyre, disa prej kërkesave që janë adresuar nga ana e tyre tek institucionet kanë gjetur mbështetje dhe për shumë të tjera ende nuk ka përgjigje.

Po ashtu të pranishmit në këtë takim vlerësuan  se edhe ata vetë si liderë apo përfaqësues të fshatrave, nuk janë shumë aktivë dhe u pajtuan se duhet të  jenë shumë më aktivë për t’i adresuar kohë pas kohe problemet e tyre në institucionet gjegjëse si dhe për të kërkuar nga to më shumë  përgjegjësi  në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet bashkësitë e tyre lokale.

Gjithashtu në këtë takim të përbashkët me kryetarët e bashkësive lokale të katër komunave të Rrafshit të Dukagjinit u kërkua që të bëhet një koordinim më i mirë më njeri tjetrin dhe të ndihmojnë njëri tjetrit kur ka të bëjë më zgjidhjen e ndonjë problematike që është në interes të përgjithshëm edhe pse mund të jetë për një fshat apo lagje të caktuar, si dhe të shkëmbejnë përvojat e tyre të punës si model për adresim më të mirë të problemeve ndaj institucioneve.

Aktivitete të tilla me kryetarë të bashkësive lokale do të vazhdojnë deri në fund të këtij viti që roli i tyre të jetë më aktiv ndaj proceseve vendimmarrëse që kanë të bëjnë me investime në përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat ku ata jetojnë dhe veprojnë.