Mbahet takimi me përfaqësuesit e këshillave lokale dhe komunës për strukturimin e këshillave

Pejë, 22 korrik- Është mbajtur takim me përfaqësuesit e këshillave lokale dhe Komunës së Pejës ku është diskutuar mbi zbatimin e rregullores komunale për bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane. Në këtë takim të pranishëm ishin kryetari i kuvendit komunal Islam Husaj dhe drejtori i Administratës Fatmir Asllanaj të cilët janë zotuar se në fund të muajit gusht dhe në fillim të muajit shtator do të mbahen zgjedhjet në secilin fshat dhe lagje ku do të bëhet zgjedhja e përfaqësuesve të këshillave lokale.


Përfaqësuesit e lagjeve dhe fshatrave të pranishëm në këtë takim kanë kërkuar nga zyrtarët komunalë që të fillohet shumë shpejtë me përzgjedhjen e këshillave të rinj, ashtu siç e parasheh rregullorja dhe roli i tyre të jetë më i fuqishëm ndaj institucioneve dhe ata të kenë ndikim më të madh pasi që deri më tani zëri i tyre është dëgjuar shumë pak.
Gjithashtu është premtuar që për përfaqësuesit e këshillave lokale do të sigurohet një kompensim nga komuna për mbulimin e shpenzimeve që ata mund t’i kenë në angazhimin dhe punën e tyre që do të bëjnë në të mirë të komunitetit.
Po ashtu është kërkuar që ky proces duhet të ndihmohet nga vetë qytetarët për të pasur zgjedhje të pranueshme dhe të rregullta duke mos i dhënë karakter politik por të jetë proces,  ashtu siç garanton edhe rregullorja.


Ky takim është organizuar nga OJQ Syri i Vizionit në kuadër të programit “Qytetaria Aktive” që mbështetet nga organizata Suedeze Olof Palme International Center/ SIDA dhe implementohet në disa komuna të Kosovës dhe ka për qëllim fuqizimin e qytetarëve dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje.