Nxënësit e Pejës kërkojnë ndaljen e krimit

Të rinjtë e shkollave të mesme të Pejës, të mërkurën kanë bërë marshin protestuar nëpër qendër të Pejës, për të shprehur pakënaqësinë lidhur vrasjen e moshatarit të tyre Granit Kelmendi pesë ditë më parë. Qindra nxënës tw organizuar vet, shumica prej të cilëve vinte nga Shkolla e mesme ekonomike “Ali Hadri”, bashkë me organizatat rinore dhe shoqërinë civile, janë mbledhur në mesditë në Stacionin e autobusëve të Pejës, aty ku kishte ndodhur vrasja me thikë e gjashtëmbëdhjetëvjeçarit dhe kanë vazhduar përgjatë rrugës “Adem Jashari “ dhe “Mbretëresha Teutë” duke ndaluar në dy vende, pranë policisë së Pejës dhe para ndërtesës së Komunës së Pejës. Në këto dy adresa ata duke vërshëllyer kanë ngritur lart pankartat në të cilat kryesisht shkruhej “Nxënësit në shkolla, jo në arkivola”, “Peja dikur lule e Dukagjinit, tani lule e krimit”, dhe kanë bërë thirrje për paqen dhe për ndalimin  vrasjeve.
“Ju drejtohemi qytetarëve dhe posaçërisht prindërve, të kenë kujdes dhe përkushtim më të shtuar për fëmijët e tyre, të kenë kontroll mbi fëmijët t’i edukojnë  ata  që të merren me gjëra të dobishme”, ka thënë një nga nxënësit organizatorë Jetlira Berisha. Vrasja e nxënësit të premten ka qenë vrasja e dytë me thikë që ndodhë kohën e  fundit në Komunën e Pejës, ndërsa rastin e bën më të rëndë fakti se i dyshuari për vrasje është vetëm 15 vjeçar. Nxënësit i kanë bërë thirrje edhe policisë së Pejës dhe kryetarit të komunës Gazmend Muhaxheri të bëjnë diçka më shumë në parandalimin e krimit.