Prindërit protestojnë për klasat e papastruara

Prindërit e një klase në shkollën fillore "Ismail Qemali" në Prishtinë kanë protestuar të premten në objektin e shkollës, për shkak se, siç kanë thënë ata, klasa nuk është pastruar që nga dita e parë e fillimit të shkollës më 2 shtator. Prindërit janë futur vet në klasë dhe kanë thënë se aty do qëndrojnë ata vet, por fëmijët do t’i mbajnë në shtëpi të premten, e në rast nevoje edhe të hënën.

“Duke u nisur nga fakti që hapësira ku mbahet mësimi i klasës III/2, në katin e dytë të shkollës fillore ‘Ismail Qemali’ në Prishtinë, nuk është pastruar që nga data 02.09.2013 – kur edhe ka filluar viti shkollor 2013/2014, ne prindërit e nxënësve të kësaj klase kemi vendosur që në shenjë revolte ndaj kësaj gjendje të mos i dërgojmë fëmijët sot (e premte më 13 shtator 2013) fare në mësim, thuhet në reagimin e prindërve përmes përfaqësuesit të tyre Gjergj Filipaj.

Si prindër të përgjegjshëm, qytetarë të ndershëm dhe taksapagues të rregullt konsiderojmë se nuk është fare në rregull dhe jashtë çdo logjike normale që fëmijët tanë të mbajnë mësim në një ambient që nuk është pastruar që 14 ditë, thuhet në reagimin e tyre, në të ciklin kanë shtuar se pos klasës ata kanë në dispozicione dhe banjo të papastra e kundërmuese, që  është shkelje e disa neneve të konventës së OKB-së mbi të drejtave e fëmijëve, që ndërlidhen me siguri në shkolla dhe ambiente të pastra sipas standardeve të duhura sanitare.

Kryesia e prindërve të nxënësve të klasës III/2 – të shkollës fillore "Ismail Qemali" - Prishtinë i bën thirrje organeve kompetente që sa më shpejtë ta zgjidhin këtë çështje dhe të mos e rrezikojnë më tutje shëndetin e fëmijëve që në shkollë shkojnë të marrin njohuri e dituri e jo të marrin ndonjë sëmundje.