Qendra e mjekësisë familjare në fshatin Dobërdol nuk ka ujë, punon në kushte të mjerueshme

Pejë, korrik 2015- Qendra e mjekësisë familjare në fshatin Dobërdol të Pejës punon në kushte shumë të vështira, madje kjo qendër e mjekësisë familjare që duhet përkujdeset për shëndetin e banorëve të këtij lokaliteti, nuk arrin të sigurojë kushte as elementare higjienike për vetë stafin e vet mjekësor.

Qendra nuk ka furnizim më ujë që të krijojë kushte elementare për stafin punonjës dhe për rritjen e higjienës brendapërbrenda objekti, kjo situatë bënë që punëtorët e kësaj QMF-je të punojnë në kushte shumë të vështira. Përpos shërbimeve që duhet t’u ofrojnë banorëve të këtij lokaliteti, ata duhet të dalin nëpër shtëpitë e fshatit për të siguruar ujë për nevojat e tyre dhe ujit që ata arrijnë të sigurojnë janë shishet/bidonët e plastikes apo xhamit që duhet transportuar mbi 100 metra nga shtëpinë më të afërta që ka ambulanca.

Banorët e këtij lokaliteti thonë se vite më parë në oborrin e ambulantes është hapur një pus (bunar) që ka furnizuar për një kohë të gjatë me ujë shtëpinë e shëndetit në këtë fshat, mirëpo pas një kohe është shembur pusi dhe nuk ka pasur më mundësi të furnizohet me ujë QMF-ja e fshatit.

Institucionet komunale janë të njoftuar më situatën në të cilët gjendet ky institucion i vetëm shëndetësor në këtë fshat, mirëpo nuk është ndërmarr diçka deri më tani çka ka zhgënjyer stafin e këtij institucioni dhe vetë banorët e fshatit.

Banorët e fshatit thonë “Është absurde qysh një ambulant që ofron shërbime shëndetësore për ne e vet nuk ka ujë, si mund të sigurojnë shërbime cilësore kur vetë janë në kushte të mjerueshme”.

Madje banorët janë zotuar se në rast se nuk zgjidhet furnizimi me ujë i kësaj qendre të mjekësisë familjare ata do ta mbyllin atë pa lejen e institucioneve shëndetësore në nivel komunal,  pasi që sipas tyre atyre,  nuk ju duhet një institucion i tillë që ofron kushte në këtë gjendje, çka nuk garanton ofrim të sigurt të shërbimeve shëndetësore.

Përfaqësuesi i këtij fshati njëherit kryetar i këshillit lokal në Llozhan, pjesë e të cilit këshill është edhe fshati Doberdol, ka thënë se është biseduar me institucionet komunale lidhur me këtë dhe se shpejti do t’u drejtohemi me kërkesë zyrtare dhe po besoj se ata do ta zgjidhin këtë problem.

Fshati Dobërdol akoma nuk është i furnizuar më rrjetin e ujësjellësit mirëpo i gjithë fshati furnizohet me ujë të pijshëm dhe për nevoja personale nga puset (bunarët) çka kërkojnë që një pus (bunar) i tillë të hapet edhe për qendrën e mjekësisë familjare apo të rihapet pusi i mëparshëm, që QMF-ja e këtij fshati të ofrojë shërbime cilësore dhe të sigurta për banorët e këtij fshati dhe të krijoj kushte normale të punës për punonjësit mjekësor.