Qytetarët e Pejës protestojnë kundër nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi

Pejë, 26 Gusht- Qindra qytetarë të komunës së Pejës sot kanë protestuar kundër nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi nga qeveria e Kosovës në Vienë. Ata kanë marshuar në rrugës Pejë- Rozhajë në drejtim të Kullës duke bllokuar kështu qarkullimin e automjeteve në këtë rrugë që lidh Kosovën me Malin i Zi.
Organizatorët e kësaj proteste dhe qytetarët kanë kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që të mos nënshkruajë asnjë marrëveshje që ka të bëjë më demarkacionin kufitar pa i pyetur banorët.

Sipas tyre, me këtë marrëveshje Kosova do të humb 12 mijë hektarë, prandaj qytetarët e Kosovës, e veçanërisht ata të rajonit të Rugovës, asnjëherë nuk do të pranojnë një gjë të tillë.

Organizatorët dhe protestuesit kanë kërkuar që kjo çështje të kalojë përmes parlamentit të Kosovës dhe vullnetit të qytetarëve për të vendosur njëherë e përgjithmonë kufij paqësorë për çka janë të interesuar edhe ata, në të kundërtën ata do të mbrojnë me çdo kusht pronat dhe vijën kufitare aktuale.

Protesta kundër nënshkrimit për demarkacion kufitar ka zgjatur diku një orë dhe më pas protestuesit janë shpërndarë në mënyrë paqësore duke paralajmëruar se protestat dhe veprimet tjera nuk do të ndalen deri sa të garantohet që Kosova nuk do të humb asnjë hektarë tokë nga demarkacioni me Malin e Zi.