Rruga e fshatit Shtupeq i Madh në Rugovë ka filluar të dëmtohet pas një muaji

Pejë, 27 nëntor- Fshati Shtupeq i Madh është fshati i parë i Rugovës që takon kur hynë në këtë zonë dhe  shtrihet në kilometrin e 12-të të rrugës Pejë-Bogë. Fshati në mesin e problematikave të shumta problem prioritar kishte rrugën që lidh fshatin me rrugën kryesore.

Komuna e Pejës duke ndarë një buxhet për asfaltimin e kësaj rruge, ka rritur që këtë vit të gëzojë banorët e këtij fshati me rregullimin e rrugës që ka krijuar kushte më të mira për jetuar në këtë zonë turistike. Mirëpo gëzimi i banorëve të këtij fshati nuk ka zgjatur shumë, pasi  kjo  rrugë u përurua në fillim të këtij muaji nga kryetari i komunës, sot asfalti në këtë rrugë ka filluar të çahet dhe dëmtimet vërehen qartazi. Kjo ka filluar t’i shqetësojë banorët e këtij fshati pasi sipas tyre nuk është bërë një punë e duhur në asfaltimin e kësaj rruge.

Kryetari i këtij fshati z. Ramë Nikçi ka thënë se “Është absurde ende pa u bërë një muaj ka filluar asfalti të çahet, dhe siç duket nuk është shtruar më asfalt aq sa duhet për t’i përballuar makinerisë që kalon nëpër këtë rrugë. Ne si banorë nuk kemi pasur mundësi që të monitorojmë punën që është bërë pasi i kemi besuar inspektorëve komunalë, por siç duket as ata nuk kanë kryer punën e tyre si duhet”.

E edhe përfaqësuesit e fshatrave tjerë të Rugovës që kalojnë në këtë rrugë janë pajtuar me kryetarin e fshatit Shtupeq i Madh, që puna nuk është bërë si duhet, dhe kanë thënë se do i drejtohen edhe kryetarit të komunës dhe Drejtorisë për shërbime publike lidhur me këtë çështje.

Kjo rrugë është investim i Komunës së Pejës, në vazhdën e disa investimeve që po bënë në bashkësinë lokale të Rugovës që përbehet prej 14 fshatrave.