Rugovasit kundër parkut nacional


Komuniteti rugovas ka protestuar kundër zbatimit të Ligjit për parkun nacional të Bjeshkëve të  Nemuna. Për ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës,që në vitin 2012, përfaqësues të komunitetit, përfshirë kryesisht aktivistë të zonës, kanë dalë në qendër dhe në prani të qindra qytetarëve kanë thënë se janë kundër zbatimit të ligjit për parkun nacional. Njëri nga këta përfaqësues, Ali Lajçi, u ka bërë thirrje qytetarëve për mosbindje ndaj këtij ligji. “Çdo moszbatueshmëri e ligjit e degradon dhe e bën të pamundshëm atë” ka thënë ai. Sipas tij ky është një ligj centralist për të marrë këto pronat e rugovasve.
Folësit tjerë kanë kërkuar që  jo vetëm të ndryshohet ligji, ose të anullohet krejt pasi park kombëtar ua rrezikon pronat banorëve që janë të interesuar që zona të jetë zonë e zhvillimit ekonomik. Isa Nikçi ka thënë se këto ligje janë vazhdimësi e ligjeve të Serbisë, kurse për Sali Lajçin ligji është i papranueshëm për shkak se është  bërë pa debat publik, pasi në asnjë fshat s’është diskutuar me banorët. Ramiz Qorraj, përfaqësues nga komuniteti, ka kërkuar që zona e Rugovës të mos jetë në park kombëtar por zonë e zhvillimit të lirë ekonomik, njëjtë si të gjitha pjesët tjera të Kosovës. 
Me gjithë mospranimin nga komuniteti, Ligji për parkun kombëtar është aprovuar me një shumicë të thjeshtë nga Kuvendi i Kosovës, edhe pse para Komisionit parlamentar ka pasur një kundërshtim edhe nga Komuna e Pejës, shoqëria civile dhe përfaqësuesit e komunitetit. Një peticion i banorëve, pas hyrjes në fuqi të ligjit është dorëzuar në Gjykatën kushtetuese, por ai nuk është marrë në shqyrtim nga kjo gjykatë, për moskompetencë të parashtruesve nga komuniteti dhe mungesës së provave juridike në mbështetje të kërkesës.