Të rinjtë trajnohen për të qenë aktivë

Afër 40 të rinj nga Komuna e Pejës janë certifikuar për debate, hulumtime dhe përpilim projektesh ideore ndërsa në fund iu është dhënë mundësia që të jenë fitues të grantit në shumë prej 250 eurove, me anë të projekt-propozimeve të tyre.
Për tre ditë me radhë në kuadër të projektit të “Shkollës së aktivizmit”, në hapësirat e shkollës fillore “Ramiz Sadiku” në Pejë, organizata “Iniciativa për Progres”(INPO) nga Ferizaji, me anë të trajnimeve ka aftësuar pjesëmarrësit e shkollave fillore, të mesme dhe përfaqësues të OJQ-ve të Komunës së Pejës për të debatuar, hulumtuar dhe hartuar projekt-propozime.
Projekti “Shkolla e aktivizmit” funksionon që nga viti 2011 dhe bën trajnimin e nxënësve nëpër komunat e Republikës së Kosovës dhe ka arritur mjaft shumë në sensibilizimin dhe avokimin e qytetarëve rreth çështjes së aktivizmit.
Po ashtu, kjo shkollë, pas përfundimit të trajnimeve , të gjithë nxënësit i pajis me certifikata.
E, sa i përket komunës së Pejës, të kënaqur janë ndarë edhe nxënësit pjesëmarrës , ndërsa kjo vërehet edhe në deklarimet tyre.
“Arsyeja përse kam  zgjedhur që të vij në këto trajnime tre ditore nga “Shkolla e aktivizmit” është  sepse mund të mësoj diçka të re dhe që nuk e kemi mësuar deri më tani në shkolla, e që mendoj se do të më ndihmojë shumë në të ardhmen”, tha Alban Imami, nxënës  i  gjimnazit “Bedri Pejani” dhe përfaqësues i organizatës “Kuvendi  Rinor” në Pejë. I kënaqur  shprehet edhe Gent Deqani ,nxënës në shkollën ekonomike “Ali Hadri” në Pejë. “Këto aktivitete më kanë ndihmuar mjaft shumë në mësimin e gjërave të reja , po ashtu dhe në gjetjen e miqve të rinj. Shpresoj se këto aktivitete do të më ndihmojnë mjaft shumë në të ardhmen”, thotë ai.
Ndryshe, “Shkolla e aktivizmit” pas përfundimit në Pejë, ka lënë mundësinë e aplikimit me anë të mini projekteve me vlerë prej 250 €, me afat kohorë prej dy javësh për këta të rinj. (Portali Europeja)