Trajnim tre ditor për hartimin e projekt propozimeve për bashkësitë lokale

Trajnim tre ditor për hartimin e projekt propozimeve për bashkësitë lokale

19 Qershor- Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” në kuadër të punës së vazhdueshme për zhvillimin e qytetarisë aktive në Kosovë ka realizuar dhe trajnimin për hartimin e projekt propozimeve për bashkësitë lokale të Gurrakocit, Zllakuqanit dhe Raushiqit. Për tri ditë me radhë këshillat e bashkësive lokale kanë punuar së bashku në grupe në hartimin e projekteve për këto tri bashkësi, duke u koncentruar në njërën nga prioritetet e përcaktuara ditë më parë në planet e aksioneve për këto bashkësi. Qëllimi i këtij trajnimi ishte fuqizimi i përfaqësuesve të këtyre zonave, për format dhe mundësitë që ata do të kenë me adresimin e këtyre prioriteteve duke i përshtatur në projekte dhe dokumente të shkruara, me synim që këto projekte do të dorëzohen tek institucionet dhe donatorë të ndryshëm, të cilët mund të ofrojnë mbështetje për këto projekte.
Projektet e koncentruara në prioritete janë kryesisht në infrastrukturë, duke përfshirë vënien në funksion të sistemit të ujit për ujitjen e tokave, në Komunën e Istogut, hapja e një pike grumbulluese të qumështit në komunën e Klinës, si dhe rregullimi i trotuarit për nxënësit e shkollës fillore të bashkësisë lokale të Raushiqit.

Projekti “Qytetaria Aktive”  ka për qëllim fuqizimin e qytetarëve, që roli i tyre të jetë më i fuqishëm dhe të jenë më aktivë në vendimmarrje. Andaj edhe në këtë proces, Syri i Vizionit në partneritet me Olof Palme International Center, do të vazhdojë mbështetjen e qytetarisë aktive si dhe shtytjen e këtyre projekteve edhe tek institucionet adekuate dhe donatorët e mundshëm.