Ura që filloi dhe nuk u ndërtua, rrezikohet jeta e banorëve

Banorët e fshatit Rosujë të komunës së Pejës, janë të rrezikuar gjatë kalimit të urës së vjetër që lidh fshatin e tyre më fshatin Jabllanicë dhe rrugën kryesore Pejë-Prishtinë.
Ata vazhdojnë të shfrytëzojnë një urë të ndërtuar nga materiali i drurit para shumë viteve e që është e dëmtuar shumë dhe shpesh e frikshme për të kaluar me makinë.
Duke parë situatën e kësaj ure dhe friken e banorëve, ata kishin kërkuar nga komuna e Pejës, që të  bëhet ndërtimi i një ure apo riparimi i kësaj.
Punimet e filluara për ndërtimin e urës se re para disa muajve kishin gëzuar banorët e Rosujës, që më në fund problemi i tyre do të zgjidhet, mirëpo, ura e nisur ka mbetur në gjysmë dhe nuk janë duke vazhduar punimet që kishin filluar. Banorët e shqetësuar me ndaljen e punimeve shprehen të shqetësuar se çfarë ka bërë që të ndalohen punimet e kësaj ure. Ata nuk kanë ndonjë informatë se pse janë ndaluar dhe se kur do të fillojnë punimet për ndërtimi i kësaj ure. Sipas tyre nëse ura nuk përfundon para sezonës dimërore atëherë ura aktuale do të jetë e pa kalueshme dhe do të rrezikojë jetën e banorëve që të udhëtojnë nëpër të.

Sami Krasniqi, përfaqësues i fshatit Rosujë ka thënë se “ne kemi kërkuar nga komuna që të fillohen punimet dhe të përfundojë ndërtimi para sezonës së dimrit, por nuk ka ndonjë veprim dhe përgjigje konkrete”.
Ai shprehet i zhgënjyer më neglizhimin e punimeve dhe i shqetësuar se urë aktuale të cilën ata po shfrytëzojnë, mund edhe të shndërrohet në tragjedi për ndonjë kalimtar me makinë pasi është tepër e dëmtuar.

Përpos urës edhe rruga që shpije nga ky fshat për në fshatin Jabllanicë është tepër e dëmtuar dhe shpesh herë bëhet e pa kalueshme për këmbësorë, sidomos gjatë sezonës së reshjeve edhe për këtë banorët kanë dorëzuar kërkesë tek institucionet komunale.