Zyra ndihmëse dhe këshilluese fuqizon rolin e Shoqërisë Civile

Zyra për ofrimin e ndihmës dhe këshillave të ndryshme që është hapur në kuadër të projektit “Qytetari a Aktive” është duke luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm në fuqizimin e qytetarëve por edhe të vetë organizatave joqeveritare apo shoqërisë civile që veprojnë në Regjionin e Pejës dhe më gjerë.

Stafi i zyrës ka ndihmuar organizatat e shoqërisë civile në përpilimin e raporteve financiare duke ofruar këshilla dhe punë praktike me to, si dhe ka ofruar këshilla për hartimin e projekt propozimeve dhe mundësitë për të aplikuar tek donatorët e ndryshëm.

Gjithashtu ka ndihmuar grupe të ndryshme jo formale për të përgatitur dokumentacionin e duhur dhe për t’u regjistruar si OJQ, si dhe ka ndihmuar në përpilimin e rregulloreve dhe statuteve të brendshme për OJQ-të.

Pjesë e punës së kësaj zyre janë edhe ankesat, kërkesat dhe projekt idetë qe vinë nga qytetarë të ndryshëm që t’i adresojnë në institucionet lokale dhe qendrore. Po ashtu kjo zyrë është në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe grupeve të ndryshme në mbarë Kosovën, edhe pse zyra është në Pejë, të gjithë qytetarët apo grupet e ndryshme joformale, OJQ-të etj, kanë mundësi të kërkojnë ndihmë dhe këshilla nga kjo zyrë edhe përmes ueb faqes www.aktivizohu.org. Pas pranimit të informacionit përmes ueb faqes stafi i kësaj zyreje do t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe grupeve tjera të interesit.