Në Pejë qytetarët protestojnë kundër hajnave dhe fryrjes së faturave të KEK-ut


Me moton “Ndale hajninë” në Pejë një numër i madh qytetarësh kanë protestuar në qendër të Pejës duke thirrur sloganet e protestës  “Burg hajnave” dhe “Me hajna nuk ndërtohet shtet”. Përfaqësuesi i këshillit organizativ Yll Rugova ka thënë se e gjithë kjo që kishte filluar me 20 vetë po përfshin gjithë Kosovën dhe tashmë ka dhënë rezultatet në mosarritjen e çmimit të energjisë dhe fillimin e hetimeve.
“Ajo që na bashkon të gjithëve është se ne duam të kërkojmë llogari nga institucionet e këtij vendi, të cilat në mungesë të reagimit qytetar kanë vazhduar që pa dhimbje të punojnë në dëm të njerëzve që përfaqësojnë” ka thënë Rugova.  Ai ka shtuar se protestat e qytetarëve kanë nisur nga parregullsitë që kanë ndodhur me faturat e KEK-ut, por ato do të vazhdojnë derisa institucioni i llogaridhënies të instalohet njëherë e mirë, derisa qytetarët e Kosovës ta ndalojnë zaptimin e institucioneve që ka nisur tash e një kohe.
Përfaqësuesi i qytetarëve të Pejës Xhevdet Belegu ka thënë se qytetarët e Komunës së Pejës i thonë KEK-ut dhe  institucioneve përgjegjëse  “ndale hajnin” se me hajni nuk ndërtohet shteti, me hajna nuk përmirësohet gjendja e qytetarëve. “Në këtë shtet nuk ka vend për individë të cilët duan të përfitojnë me xhepin e qytetarit, nuk ka vend për ata që duke na varfëruar jetën tonë si qytetar, thirren në atë se po ndërtojnë shtet për qytetarët e saj” ka thënë Belegu. Pjesëmarrësit në protestë kanë shprehur gatishmëri të vazhdojnë edhe protesta tjera.